Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me ministrinë e Shëndetësisë, Rifat Latifi kanë mbajtur konferencë për media lidhur me situatën me koronavirus në Kosovë, raporton InLajmi.
Në këtë konferencë Kurti ka thënë se Kosova sikurse shtetet tjera rrezikohet nga një valë tjetër e koronavirusit, që sipas tij janë 4 rreziqe që i kanosen Kosovës gjatë javëve të ardhshme, duke përfshirë këtu edhe ardhjen e bashkatdhetarëve.
“Festat e fundvitit shoqërohen me ardhjen e një pjese të mërgatës sonë, ky shtim i popullsisë bashkë me grumbullimet e shumta festive të fundvitit e rrit dukshëm mundësinë e ngjarjeve super shpërndarëse. Së 2-ti, situata epidemiologjike në Evropë vazhdon të jetë tejet e rëndë sidomos në disa vende ku jetojnë një numër i madh i mërgimtarëve. Shtimi i numrit të udhëtarëve e rrit mundësinë që gjendja epidemiologjike të jetë e ngjashme. Kosova ka shkall më të ulët të vaksinimit se këto vende evropiane. Dhe së 4, ditëve të fundit është shfaqur në Afrikën e Jugut një variant i ri i virusit Corona, Omicron. Ky variant është përhapur në së paku 38 vende të botës”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti ka thënë se do të marrin masa të reja dhe sipas tij nëse rreziku ndaj koronavirusit zbutet, ata do të zbusin masat për bashkatdhetarët.
“Si kryeministër nuk kam detyrë më të rëndësishme se sa të mbroj jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë me të gjitha mjetet që qeveria i ka në dispozicion. Për këtë arsye kemi marrë masa kufizuese edhe brenda vendit, duke marrë parasysh rreziqet. Jemi vazhdimisht duke shqyrtuar të dhënat më të reja mbi të cilat ne do të përditësojmë masat sa herë të ketë nevojë konform situatës. Në momentin e parë që rreziqet zbuten dhe dalin të jenë më pak serioze, qeveria do të merr vendim për lehtësimin e masave kufizuese”, shtoi ai. /InLajmi/