Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka bërë të ditur se sot ka dhënë botimin si edhe për 4 vite të tjera si kryetar, përcjell InLajmi.
Lladrovci ka thën se ky betim për mua paraqet detyrim edhe obligim ligjor e moral që së bashku me juve, të bëjmë më të mirën e mundshme për qytetarët e komunës së Drenasit.
Ai gjithashtu ka thënë se puna jonë në asamblenë e kaluar ka qenë shembullore në nivel vendi, sepse, vërtetë jemi përpjekur dhe kemi punuar së bashku për interesin qytetar pa dallim se për kë kanë votuar apo çfarë bindjesh politike kanë pasur.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Pas dhënies së betimit në Seancën solemne të Asamblesë komunale, mbajta këtë fjalë rasti:
Të dashur asamblistë,
Familjarë të dëshmorëve dhe martirëve të UÇK-së,
Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së,
Përfaqësues të bashkësive fetare, z. Bequku dhe z. Sopi,
E nderuara komandante, znj. Bajrami,
I nderuari z. Kuçi, z. Xhelili, z.Tahiri, z. Syla,
Shumë i dashur Blerim, vëlla i Presidentit Thaçi që padrejtësisht gjendet në Hagë,
Zonja e zotërinj,
Qytetarë të Drenasit,
Të nderuar të pranishëm,
Pata nderin që sot para jush, të jap betimin për mandatin e tretë, në krye të komunës së Drenasit.
Ky betim për mua paraqet detyrim edhe obligim ligjor e moral që së bashku me juve, të bëjmë më të mirën e mundshme për qytetarët e komunës së Drenasit.
Sot, fillon një kapitull i ri, për mua dhe për Juve, sepse, shumica nga ju jeni për herë të parë në Asamblenë komunale, prandaj, nga ky moment, ua ofroj bashkëpunimin e plotë, të gjithëve pa dallim, pozitë e opozitë, pa dallim partie apo grupi kuvendor.
Ju uroj të gjithëve sukses e punë të mbarë, në përmbushjen e pritshmërisë së qytetarëve tanë.
Dua t’ju njoftoj se puna jonë në Asamblenë e kaluar ka qenë shembullore në nivel vendi, sepse, vërtetë jemi përpjekur dhe kemi punuar së bashku për interesin qytetar pa dallim se për kë kanë votuar apo çfarë bindjesh politike kanë pasur. Në veçanti dua ta theksoj bashkëpunimin në Asamble, gjatë kohës së pandemisë.
Uroj të kemi bashkëpunim, harmonizim dhe mirëkuptim, me qëllimin e vetëm, promovimin dhe realizimin e interesit qytetar, për të cilin jemi këtu dhe kemi marrë mbështetjen e tyre.
Ju uroj punë të mbarë, suksese të përbashkëta dhe përkushtim maksimal në zbatim të ligjit, realizimin e pritshmërisë së qytetarëve, me transparencë dhe llogaridhënie.
Na priftë e mbara, suksese!
Faleminderit! /InLajmi/
















