Përmes një ceremonie me pishtarë dhe parakalim të forcave të armatosura, kancelarja Merkel shënoi largimin nga detyra.
Ceremoni të tilla janë kthyer në traditë në Gjermani dhe rezervohen për liderët e vendit.
“Teksa qëndroj përpara jush sot, ndiej së pari përulje dhe mirënjohje. Përulje përpara detyrës që m’u lejua të mbaj për kaq gjatë. Dhe mirënjohje për besimin që m’u dha”, tha Angela Merkel, ish-kancelare e Gjermanisë.
Përveçse falënderoi gjermanët, Merkel u bëri thirrje atyre që t’i qasen jetës me “lehtësinë e zemrës” dhe që të jenë optimistë për të ardhmen e tyre.
Duke folur për sfidat me të cilat përballet bota, Merkel tha se 2 vitet e fundit të pandemisë kishin treguar se sa i rëndësishëm ishte besimi tek liderët politikë dhe shkenca, përcjell Euronews.
Lidhur me pandeminë, pak orë para se të linte detyrën, Merkel njoftoi masat e reja për Gjermaninë, që parashikojnë ndalimin e aksesit tek jeta publike e personave të pavaksinuar dhe bërjen e vaksinimit të detyrueshëm.