Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cilësoi skandaloze moslejimin e drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.
Bërnabiq tha se kjo ishte hera e 5 që Petkoviqit nuk iu lejua hyrja në Kosovë përbrenda këtij viti, raporton mediumi serb Danas.
“Gjëja më bizare në këtë situatë është se ndalimi ndodhi disa ditë pasi Bashkimi Europian bëri thirrje eksplicite ndaj Prishtinës t’i respektojë marrëveshjet”, deklaroi ajo, përcjell lajmi.net.
Bërnabiq vuri në dukje se Petkoviqi ka njoftuar siç duhet vizitën dhe se synonte të vizitonte studentët serbë në Prizren dhe të kthyerit në fshatin Novakë.