Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë të ditur se është certifikuar zyrtarisht si kryetar i Prizrenit, përcjell InLajmi.
Totaj ka shkruar se me këtë hap, edhe njëherë u konfirmua fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës.
‘’Ky është Prizreni për të cilin unë do të angazhohem e qyteti për të cilin ne kemi nevojë’’, ka shkruar Totaj.
Postimi i plotë i tij:
Sot, edhe zyrtarisht, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve më ka certifikuar si Kryetar të ri të Prizrenit.
Me këtë hap, u konfirmua edhe një herë fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës, se zgjedhjet e 14 nëntorit në komunën tonë ishin demokratike dhe zbatim i vullnetit të qytetarëve të Prizrenit.
Falenderoj edhe një herë të gjithë qytetarët për një proces korrekt, për besimin e dhënë e mbi të gjitha që përqafuan ndryshimin, si akt mëse i nevojshëm për qytetin tonë.
Tash është koha për punë e vizion për Prizrenin e të ardhmes dhe përmirësim të jetës së qytetarëve tanë, pa dallime.
Ky është Prizreni për të cilin unë do të angazhohem e qyteti për të cilin ne kemi nevojë.
Të bashkuar për Prizrenin që duam!/InLajmi/