Pas fitores së LDK-së në Komunën e Prishtinës, ky subjekt duhet të bëjë koalicion me njërën nga subjektet politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin Komunal, për të siguruar kështu shumicën e thjeshtë prej 26 anëtarëve.
Aludimet e shumta se 2 nga partitë e renditura pas partisë fituese mund të kenë biseduar për një bashkëpunim të mundshëm i kanë mohuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Zëdhënësi i saj, Faton Abdullahu, tha se as për një koalicion të mundshëm as raportimet se Blerand Stavileci, i kësaj partie është emri i lakuar për nënkryetar të Prishtinës, nuk janë të vërteta dhe se nuk kanë pasur një bisedë të tillë me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Ne jemi renditur partia e 3 në Prishtinë, dhe si rrjedhojë kemi edhe asamblistët tanë. Mirëpo nuk kemi biseduar për një koalicion të mundshëm”, tha Avdullahu për Insajderin.
Ndryshe në media sot është raportuar për një bashkëpunim të mundshëm me PDK-në, ku si rezultat PDK do të ketë pozitën e nënkryetarit të Prishtinës.