Javën që shkoi autoritetet shtetërore të Serbisë refuzuan kërkesat e 4 ministrave të Kosovës për vizitë në Luginën e Preshevës. Lidhur me këtë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të lejojë vizitat zyrtare të qeveritarëve të Kosovës.
Pavarësisht se 4 ministra të Qeverisë së Kosovës, në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Brukselit, më 24 nëntor i kishin bërë kërkesë autoriteteve në Beograd që t’u lejohet vizita në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, në ditën e nisjes së vizitës atyre (më 27 nëntor) u është refuzuar kërkesa, pa asnjë arsyetim.
Lidhur me refuzimin e vizitës së ministrave zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në mënyrë adekuate në përputhje me marrëveshjen dhe prandaj është dashur të lejohet të shkohet tutje.
“I bëjmë thirrje Serbisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejoj të zhvillohen vizita zyrtare që të plotësohen kushtet e lartpërmendura”, ka thënë Stano
Më tej Stano tha se BE, pret nga të 2 palët – pra Kosova dhe Serbia të implementojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara, përfshirë marrëveshjen për vizitat zyrtare.
“Vizitat zyrtare janë pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve dhe janë një mundësi për komunikim më të madh mes palëve.Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që do të çojë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Stano, shkruan Telegrafi.
Ndryshe, më 27 nëntor autoritetet serbe kishin refuzuar pa arsye kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë 4 të ministrave të Qeverisë së Kosovës, Liburn Aliu, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku.