Bjellorusia ka njoftuar se do të zhvillojë ushtrime të përbashkëta ushtarake me Rusinë përgjatë kufirit të vet jugor me Ukrainën. Ky njoftim erdhi në kohën kur ministrat e NATO-s do të mblidhen në një takim për të diskutuar rreth shqetësimeve për grumbullimin e trupave ruse afër Ukrainës.
Ministri bjellorus i Mbrojtjes, Viktar Khrenin, tha të hënën se ushtrimet do të mbahen në kufirin e vendit të tij me Ukrainën, siç tha ai, në afët të mesëm kohor.
Ai nuk tregoi ndonjë datë për ushtrimet me Rusinë, por sugjeroi se ato janë përgjigje ndaj përforcimeve të pretenduara ushtarake në shtetet që ndodhen në perëndim dhe në jug të Bjellorusisë.
“Shohim formacione trupash përreth kufijve tanë shtetërorë. Ne mund të shqetësohemi vetëm nga militarizimi i shteteve fqinje, për këtë arsye jemi të detyruar që të planifikojmë masa si kundërpërgjigje”, tha Khrenin.
NATO-ja ka dërguar 4-tër grupe ndërkombëtare betejash për t’i mbrojtur Poloninë dhe shtetet baltike – Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë – që nga viti 2017, shkruan Free Europe
Moska ka mohuar se planifikon t’i pushtojë vendet baltike ose Poloninë, por ka shkaktuar alarm në mesin e vendeve anëtare të NATO-s me grumbullimin e një numri të madh trupash afër kufirit me Ukrainën, transmeton Gazeta Express.
Të hënën, presidenti autoritar i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, qartazi sugjeroi se vendi i tij do të ishte në anën e Rusisë në rast se konflikti me Ukrainën shpërthen në luftë të hapur.
“Është e qartë se në cilën anë do të ishte Bjellorusia”, tha ai.