Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen e Kursit të Sigurisë Publike të bashkëorganizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike, përcjell InLajmi.
“Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të vazhdojmë të kontribuojmë për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme të rajonit dhe më gjerë”, tha Kurti.
Në këtë trajnim që organizohet me qëllim të tërheqjes së vëmendjes, diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave mbi sfidat ndërkombëtare të sigurisë, po marrin pjesë zyrtarë policor nga mbi dhjetë shtete.
”Republika e Kosovës, si shtet i ri, që ndër të tjera shquhet për diversitetin e saj kulturor, etnik dhe fetar, me bukuritë e saj natyrore dhe mikpritjen e qytetarëve të saj – është shembull i gjallë i “unitetit në diversitet”, tha kryeministri.
”Ndërsa Kosova rritet si shtet, ne vazhdimisht përpiqemi të shërbejmë si model për botën; si një vend ku komunitete dhe kultura të ndryshme jetojnë në paqe, pavarësisht nga një e kaluar e mbushur me luftëra dhe gjakderdhje”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi gatishmërinë dhe përkushtimin për të vazhduar të kontribuojmë për stabilitetin afatgjatë dhe paqen e qëndrueshme të rajonit dhe më gjerë, duke zgjeruar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë.
Pikërisht fakti që bota po ndryshon me një shpejtësi të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë 2 dekadave të fundit, fati i shoqërive tona dhe i vendeve tona e ka bërë botën tonë më të ndërlidhur dhe të ndërvarur se kurrë, tha kryeministri. Ai theksoi se në të njejtën kohë, kjo i ka bërë detyrat e policisë më komplekse dhe sfiduese.
Kryeministri potencoi se diplomacia e sotme duhet të mbështetet, më shumë se kurrë më parë, në parimet e paqes dhe demokracisë, stabilitetit dhe progresit, në mënyrë që të sigurojë një botë më të drejtë, të lirë të begatë të jetueshme./InLajmi/