Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla ka marrë pjesë në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku është biseduar për njohjet e reja të Kosovës, iniciativa Open Ballkan si dhe liberalizimin e vizave, raporton InLajmi.
Në lidhje me emërimin e ambasadorëve, Gërvalla ka thënë se nuk ka përfunduar ende, ku disa prej tyre janë emëruar më herët por që akreditimi i tyre nuk ka përfunduar.
“Çështja e emërimit të ambasadorëve nuk ka përfunduar ende. Disa janë emëruar që një kohë të gjate por që nuk ka përfunduar procesi i akreditimit. Disa kanë filluar punën, ku 2 prej tyre në Shqipëri dhe Katar kanë marrë akreditimet e tyre, pra deri në fund të dhjetorit të fillojë punën secili ambasador”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se jemi duke punuar për njohje të reja, duke theksuar 5 shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Jemi në punim të ligjit për diasporë, ku ka nevojë për një përpunim fondamental, pasi që strategjia e saj është e tillë që kërkon një përpunim me të detajuar. Kemi progres të dukshëm. Jemi duke punuar për njohje tjera por edhe nga 5 shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Në disa prej këtyre shtetet kemi progres, përjashtuar një shtet me të cilin nuk kemi asnjë lloj progresi”, tha Gërvalla.
Ajo ka thënë se Kosova nuk ka marrë ndonjë ftesë zyrtare për ‘’Open Ballkan’’ dhe se nuk është në dijeni se çfarë është kjo iniciativë.
“Open Ballkan është tentuar të krijohet. Tema tjetër ka qenë iniciativa e 3 liderëve ballkanik, me termin Open Ballkan, kinse paska munguar thellimi i bashkëpunimit në Ballkan. Dhe si Kosovë e kemi thënë se nuk do të jemi anëtarë dhe si e tillë, Kosova nuk ka marrë asnjë mbishkrim të shkurtër apo të gjatë se çfarë është iniciativa Open Ballkan, dhe nuk ka marrë asnjë thirrje për anëtarësim në këtë iniciativë, por vetëm thirrje mediale”, tha ajo./InLajmi/