Kur kanë kaluar 3 ditë nga vrasja misterioze e 3 personave në Gllogjan ende nuk ka të arrestuar e as të dyshuar për këtë vepër.
Derisa hetimet po vazhdojnë, Policia e Kosovës ka përjashtuar mundësinë që ky akt të jetë veprim terrorist.
“Nuk ka arsye se ngjarja në Deçan është akt terrorist. Policia ka arsye për të besuar se sulmin e ka kryer një person i vetëm”, flasin nga Policia
Ndërkohë Prokuroria e Shtetit është në fazën fillestare të hetimit. Deri më tani ky krim juridikisht është cilësuar vetëm si vrasje e rëndë.
Ndërsa Prokuroria e Pejës ka arritur të identifikojë një detaj sa i përket armës me të cilën është kryer krimi.
Sipas kryeprokurorit Agim Kurmehaj karikatori me të cilin është gjuajtur autobusi nuk është shpenzuar i tëri.
“Në bazë të gëzhojave që janë gjendur ne mund të japin një supozim. Si informatë fillestare dhe në bazë të gëzhojave të gjendura, janë zbrazur diku 6 apo 7 plumba”, ka deklaruar Kurmehaj për RTV Dukagjinin.
Nga Prokuroria Speciale thonë se rasti ende nuk ka kaluar në duar të tyre, por që një gjë e tillë nuk përjashtohet.