Si sot 77 vite më parë Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashist, të cilët pas kapitullimit u larguan nga vendi.77 vite më pas kjo ditë e shënuar përkujtohet në Shqipëri, ku nderohen të gjithë Dëshmorët e Atdheut që dhanë jetën për lirinë e vendit.
29 Nëntori është një nga ditët më të shënuara për kombin shqiptar, pasi sot nderohen të gjithë heronjtë që kanë luftuar që vendi të jetë i lirë.
Si çdo vit tjetër, edhe këtë 77-vjetor të festës së çlirimit politika në vend është e ndarë, pasi Partia Socialiste i nderon sot dëshmorët, ndërsa Partia Demokratike njeh 28 Nëntorin dhe si festë të Pavarësisë dhe të Çlirimit.
Historia e festës së Çlirimit
Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore ishte një nga vendet e pushtuara nga blloku nazifashist. Që në 9 Prill të vitit 1939 deri në 29 Nëntor 1944 Shqipëria ishte e pushtuar në fillin nga Italia dhe më pas nga Gjermania, përcjell Klan Tv.
Në fund të Nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës dhe shumë qyteteve të tjera, vendi i vetëm ku pushtuesi ishte ende prezent ishte Shkodra. Në 29 Nëntor u arrit që të çlirohej dhe Shkodra që njihet në histori si qyteti i fundit që ka fituar betejën me armikun.