Qeveria Kurti ka bllokuar investimet qindra milionëshe në Kosovë ku ka bërë që edhe investitorët strategjik të Kosovës të ikin dhe të investojnë në vendet fqinje.
Së fundi një investitor potencial për të investuar në Vushtrri, me 110 milionë euro në energji me erë, ka ikur në Maqedonia e Veriut.
“Cicavica Wind Farm 1 L.L.C.”, projekt i kompanisë franceze “Akou Energy” që do të investonte mbi 100 milionë euro për prodhimin e energjisë së ripërtërishme nga era nuk u panë me interes nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti.
Sipas një korrespodence mes ministres Hajdari me ministrave të kabinetit qeveritar- anëtarë të Komisionit për Investimet Strategjike, shihet se ky projekt edhe pse ka kaluar të gjitha fazat e vlerësimit dhe po priste dritën e gjelbër nga Kuvendi i Kosovës nuk ka vazhduar tutje.
Kjo duket se do të ketë pasoja të mëdha financiare për shtetin dhe në imazhin karshi investitorëve të huaj.
Kjo kompani kishte investuar 1 milion euro vetëm në përgatitje për të marrë statusin e investitorit strategjik në Kosovë dhe ka përgatitur kapacitetet për të bërë investimin e paraparë.
Por e tërë kjo ka shkuar dëm, sepse Qeveria e Kosovës vendosi të mos ua njoh statusin e Investitorit Strategjik, të cilin e kishin fituar në fund të vitit të kaluar.
Krejt kjo situatë ka irrituar investitorin që po priste të derdhte milionat në Kosovë, dhe nuk dihet nëse do të bëjë ndonjë padi ndaj Kosovës.
Tash, ky projekt veçse është zyrtarizuar në Maqedoninë e Veriut.
Kryeministri Zoran Zaev përmes një postimi në Facebook ka treguar se në Maqedoninë e Veriut do të ndërtohet një nga parqet diellore më të mëdha në Evropë, me kapacitet prej 350-400 MW prodhim të energjisë elektrike.
“Ky është një investim francez, më i madhi në këtë fushë, për ekonominë maqedonase. Për realizimin e sukseshëm të këtij investimi, Qeveria ka marrë vendim për përcaktimin e statusit të projektit strategjik investues të Shoqërisë për prodhimin e energjisë elektrike “OSTRO SOLAR” – Shkup. Ky projekt strategjik do të zbatohet nga një kompani franceze e energjisë elektrike ekskluzivisht nga burimet e rinovueshme të Francës Akuo Energy”, ka shkruar Zaev.
Zaev njofton se Parku diellor ‘Stipion’ do të ndërtohet në vitin e ardhshëm [2022] në vendin e parashikuar për aeroportin e ngarkesave të Shtipit, i cili ka kushte për ndërtimin e një termocentrali fotovoltaik, përcjell Periskopi.
Ai ndër të tjera shtoi se sipas planit, sasitë e para të energjisë elektrike do të rrjedhin gjatë vitit 2023 dhe realizimi i plotë pritet deri në fund të vitit 2024. Ky impiant me volum fotoni do të plotësojë nevojat e rreth 116.000 familjeve.