Ministri i Brendhsëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në mbledhjen e 2 qeverive shqiptare që po mbahet në Elbasan, ka prezantuar 3 marrëveshje bilaterale të rëndësishme, raporton InLajmi.
“MPB e Kosovës nga fillimi i punës sonë e ka pasur një ndër prioritet zhvillimin dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror me MPB-në e Republikës së Shqipërisë. Sot ne sjellim tri marrëveshje bilaterale, të rëndësishme jo vetëm në aspektin juridik por edhe në aspektin, politik, ekonomik, kulturor e historik. Këto marrëveshje janë në harmoni me legjislacionin e të 2 shteteve dhe legjislacionin e BE-së”, ka thënë ai.
Më pas Sveçla ka thënë se me marrëveshjen për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit, banorët do të kenë mundësi që të lëvizin lirshëm.
“ Me marrëveshjen për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit do të definohet lëvizja e lirë e banorëve të brezit kufitar. Banorët do të kenë mundësi që të lëvizin lirshëm me leje kalimi të veçantë në zonat kufitare të përcaktuara në brendësi të territorit deri më 30 kilometra në secilën anën. Marrëveshja tjetër është ajo për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash). Marrëveshja e tretë e prezantuar nga ne është ajo për Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e lejë qëndrimit të përkohshëm. Me këtë marrëveshje qytetarët e secilit shtet mund të qëndrojnë në shtetin tjetër për 5 vite”, ka thënë ai./InLajmi/