Imri Ahmeti betohet për herë të 3 si Kryetar i Lipjanit, pas fitorës në zgjedhjet lokale të cilat u mbajten në këtë vite në Kosovë, përcjell InLajmi.
Ahmeti është rizgjedhur edhe një herë i pari i Lipjanit, ai në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal në Lipjan u shpreh krenar me qytetaret që ia besuan për herë të 3 mandatin qeverisës duke thënë se që në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar do të punojë fort për të zhvilluar qytetin.
“Vërtet për mua është jo vetëm ditë e veçantë që për të 3 herë po rifilloj detyrën e kryetarit të komunës. Prandaj, i jam mirënjohës qytetarëve që më kanë bërë krenar për vlerësimin tuaj, por ju edhe më obligoni shumë që ne të punojmë fort, të punojmë me përgjegjësi për të zhvilluar komunën tonë. Për mua para së gjithash është obligim dhe përgjegjësi e jo privilegj. Është detyrë e shenjtë e jo pozitë, është synim e vizion i zhvillimit të mëtutjeshëm të komunës tonë e jo punë e zakonshme, por edhe detyrim për të vazhduar me dinamikë e insistim ndërtimin dhe zhvillimin e komunës tonë”, tha Ahmeti.
Ahmeti gjithashtu ka thënë se parimet e qeverisjës se tij është respektimi i ligjit i cili do të jetë bazament i përhershem i punës se tij.
“Parimet tona qeverisëse dua sot t’ua rikujtoj dhe t’ua rikonfirmoj të gjithëve që parimi i respektimit të ligjit përkatësisht normave qeverisëse do të jenë bazament i përhershëm i punës tonë. Gjatë mandatit që po e rifillojmë, parimi i qeverisjes ligjore dhe transparente do të jetë udhërrëfyes dhe shteg që s’dalim përtej saj dot, pavarësisht sfidave, interesave, presioneve që mund të prodhohen gjatë punës tonë”, theksoi ai. /InLajmi/