Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kemi përgjegjësi dhe obligim të pashmangshëm së pari si qytetarë e pastaj si shoqëri demokratike për të parandaluar dhunën mbi çfarëdo baze ndaj grave dhe vajzave, përcjell InLajmi.
Ai ka thënë se theksi i shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave është pikërisht eliminimi i dhunës prandaj i tillë duhet të jetë edhe angazhimi ynë.
Tutje ai tha se PDK-ja do të angazhohet nga çdo perspektivë, për t’i kontribuar kësaj agjende.
Postimi i plotë i tij:
Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, duke u solidarizuar me kauzën e drejtë për ndërgjegjësimin social, kulturor, politik, kombëtar e ndërkombëtar mbi përgjegjësinë dhe obligimin e pashmangshëm që kemi, në radhë të parë si qytetari e bashkësi njerëzore, e pastaj si shoqëri demokratike dhe e emancipuar, për të parandaluar dhunën mbi çfarëdo baze ndaj grave dhe vajzave.
Theksi i kësaj dite është tek eliminimi i dhunës, prandaj i tillë duhet të jetë edhe angazhimi i ynë. Shoqëria kosovare duhet ta luftojë abuzimin e çfarëdolloj që shkon në drejtim të dhunës, mohimit dhe cënimit të të drejtave të grave në shoqërinë tonë.
Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet nga çdo perspektivë, për t’i kontribuar kësaj agjende, në mbrojtje të grave dhe në realizmin pa kompromis të të drejtave të tyre të pamohueshme./InLajmi/