Këtë të premte, do të mbahet mbledhja e përbashkët e 2 qeverive shqiptare.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për Gazetën Express.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e mbajtur në Shtator të këtij viti, për efikasitet në zbatimin e marrëveshjeve e kanë emëruar Gentian Salën si koordinator.
Në një konferencë të përbashkët për medie, Kurti pati thënë se marrëdhëniet ndërmjet 2 vendeve shqiptare të thellohen dhe avancohen.
“Në takimin e sotëm biseduam për avancimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet 2 qeverive tona. Nga viti 2014 deri më tani janë mbajtur 6 mbledhje të përbashkëta të 2 qeverive, ku janë nënshkruar 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle. Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët të 2 qeverive, për çka u vendos me të fillojnë përgatitjet me synimin që mbledhja e përbashkët të jetë në gjysmën e 2-të të muajit Nëntor. Njëkohësisht u dakorduam që të kemi edhe një sekretariat koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale e cila do të udhëhiqet nga Gentian Sala që ka 2 pasaporta, atë të Republikës së Shqipërisë dhe atë të Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, Rama pati deklaruar se marrëdhëniet mes dy qeverive duhet të jenë mishërim i domosdoshmërisë për të lidhur më shumë këto 2 shtete shqiptare.
“Jemi të motivuar dhe bashkërisht të angazhuar që ishte shumë e qartë në takim se këto marrëdhënie të shkojnë në një nivel tjetër. Meqenëse gjithë ato marrëveshje të zbatohen, ashtu sikur të tjera çështje për interesin reciprok të shtrohen për zgjidhje”.
“Kjo është vizita e parë zyrtare për të konfirmuar vullnetin e plotë dhe të shprehim dëshirën se marrëdhëniet mes 2 qeverive tona të jenë mishërim i domosdoshmërisë për të lidhur më shumë këto 2 shtete shqiptare dhe për t’ia dhënë qytetarëve tanë mundësinë që të prekin jetën e përditshme…ramë dakord që në javën e fundit të nëntorit do të mbajmë mbledhjen e përbashkët të 2 qeverive në Durrës dhe ndërkohë do të punojmë intesivisht për të bërë gjithë skanimin e marrëveshjeve dhe vendimmarrjet e mbledhjes së 2 qeverive”, tha ai.