Presidentja e vendit Vjosa Osmani është shprehur e trishtuar për lajmin tragjik të aksidentit në Bullgari, ku si pasojë humbën jetën 46 persona, përcjell InLajmi.
Osmani ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe të lënduarve duke shkruar se bashkëndjejmë dhimbjen me ta.
Tutje ajo ka përmendur tragjedinë që ka ndodhur pak kohë më parë në Kroaci, duke theksuar se Kosova i di përmasat e dhimbjeve të tilla.
Postimi i plotë i saj:
E trishtuar nga lajmi tragjik për përfshirjen nga flakët të një autobusi udhëtarësh nga Maqedonia e Veriut, në afërsi të Sofjes, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona.
Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit.
U shprehim ngushëllime popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia.
Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t’u qëndrojmë afër miqve tanë në këto momente të vështira për ta./InLajmi/