Në 21 vjetorin e vrasjes së atdhetarit e veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bën homazhe dhe e përkujton figurën e tij, përcjell InLajmi.
Abdixhiku ka thënë se opusi i Xhemajl Mustafës ishte jetësor e krijues, si dhe shtrihet në shumë dimensione.
“Xhemajl Mustafa është një nga figurat kryesore të lëvizjes politike të viteve 90’, personalitetet i afërt dhe mik i ngushtë me Presidentin Rugova, ai ishte prijatar i shumë proceseve në kohët më të vështira për Kosovën. Opusi i tij jetësor e krijues shtrihet në shumë dimensione. Si shkrimtar, atdhetar e publicist, ai bashkë me intelektualët e kohës themeluan LDK-në, me të vetmin qëllim: lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Xhemajl Mustafa, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugën e shtet-ndërtimit të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku gjithashtu ka thënë se Mustafa nuk ka ndalur aktivitetin e tij për asnjë çast.
“Ai për asnjë çast nuk e ndaloj aktivitetin e tij për të mirën e përbashkët, idealin dhe sakrificën sublime për vendin. Në kohën kur ideali i lirisë ishte arritur, Xhemajl Mustafës iu ndal rruga në gjysmë – në hyrje të banesës së tij, ai u vra gjakftohtësisht më 23 nëntor të vitit 2000”, ka shkruar ai.
“Vrasja e tij ishte një goditje e madhe jo vetëm për LDK-në por edhe për Kosovën. Sot, edhe pas 21 vitesh, vrasja e tij mbetet e pazbuluar, për familjen, LDK-në dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, ndaj dhe dhimbja bëhet edhe më e madhe çdoherë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhemajl Mustafës”. /InLajmi/