10-tëra qytetarë janë mbledhur sot në mëngjes dhe kanë nisur një marshim nga Sheshi Nënë Tereza si homazh për vrasjen e vogëlushit 8- vjeçar, Mateo Vasiu nga 38-vjeçari Klodian Çalameni.
Marshimit i është bashkuar edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e cila tha se kërkesa e familjarëve dhe të afërmve për rikthimin e dënimit me vdekje nuk është një vendimmarrje që mund të merret nën ndikimin e emocioneve të forta që ka shkaktuar ngjarja.
Kujtojmë se familjarët e vogëlushit kanë nisur që dje nënshkrimin e një peticioni përmes të cilit, synojnë dënimin me vdekje të 38-vjeçarit. Peticioni është firmosur dhe nga qytetarë të shumtë, të cilët të tronditur nga ngjarja e rëndë, kërkuan varjen e tij në mes të qytetit të Fierit.
Shqipëria e ka hequr dënimin me vdekje prej gati 3 dekadash tashmë. Ishte viti 1992 pikërisht në Fier, kur u ekzekutua për herë të fundit një dënim kapital, varje në mes të qytetit. Kishte 8 muaj që kishte ardhur demokracia dhe legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.
2 personat në foto janë vëllezërit Josif dhe Dritëbardh Çuko nga fshati Libofshë i Fierit dhe u shpallën fajtorë për vrasje të shumëfishtë në atë që u quajt “Masakra e Libofshës”.

Varja u realizua me 25 Qershor të vitit 1992, në mes të qytetit të Fierit dhe trupat u lanë të varur deri mbrëmjen tjetër, për t’u parë nga turma njerëzisht që erdhën dhe nga qytetet e tjera.
14 shtete në gjithë botën e lejojnë me ligj dënimin me vdekje si praktikë për ekzekutimin e kriminelëve të një shkalle rrezikshmërie shumë të lartë.
Në asnjë shtet të Europës, përfshi Shqipërinë, nuk lejohet dënimi me vdekje.
14-të vendet që kanë legalizuar dhe ruajtur të drejtën për të ekzekutuar kriminelët për krimet e tyre janë: Bangladeshi, Kina, Egjipti, Etiopia, Indi, Indonezia, Irani, Japonia, Nigeria, Arabia Saudite, Korea e jugut, Sri Lanka, Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjykata këtë të enjte dha masën e arrestit me burg për Klodian Çalamënin. 38-vjeçari do të gjykohet pas hekurave për vrasjen e 8-vjeçarit që u gjet i mbuluar me baltë në oborrin e vrasësit.
Familjarët e të miturit janë futur me forcë brenda ambienteve të gjykatës, duke çarë edhe kordonin e policisë. Mes thirrjes “drejtësi” ata kanë kërkuar të ballafaqohen me Çalamanin, i cili nuk u paraqit në ambientet e gjykatës pikërisht prej gjendjes së rënduar, përcjell Top Channel.
Personat e pranishëm kërkonin që vrasësi të dënohej me varje pasi nuk mund të qëndronte në burg dhe të ushqehej me taksat e tyre.