Vrasja e vogëlushit 8 vjeçar në Fier, ka nxjerrë në Tiranë në një marsh protestues qindra qytetarë. Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla e cila mori pjesë në marshimin kundër dhunës së fëmijëve tha se i është bashkuar këtij marshimi si nënë dhe qytetare, pasi atë që ndodhi në Fier me vogëlushin Mateo e përjeton si për fëmijën e saj.
Ajo kërkoi më shumë ndërgjegjësim nga qytetarët për të denoncuar dhunën. Sakaq, e pyetur për nismën e familjarëve të 8-vjeçarit, të cilët po mbledhin firma për të rikthyer dënimin me vdekje, Nikolla tha se kërkohet në një moment emocional, shkruan Alsatmk.
“Jam në dijeni. Këto janë momente të forta emocionale dhe ndoshta jo gjithmonë është vendimmarrja e duhur. Shqipëria është pjesë e standardeve të BE. Unë nuk mendoj se ky dënim ai që do të jetë gjëja e duhur për të adresuar. Ka shumë elementë të tjerë që ne duhet ti adresojmë. Janë vendimmarrje që nuk duhen marrë në emocione të tilla të forta”, deklaroi Lindita Nikolla, Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë.