Shefi i Grupit parlamentar nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur në seancën që po mbahet në Kuvend, në lidhje me Ligjin e Pagave, përcjell InLajmi.
Tahiri tha se ky ligj është dashur që të vijë në Kuvend më 29 Tetor të këtij viti por si duket nuk do të vijë.
“Për ne si grup parlamentar, një nga ligjet më me rëndësi është miratimi i Ligjit të Pagave. Ky ligj është dashur që të vijë në Kuvend më 29 tetor të këtij viti e deri tash jo vetëm që nuk ka ardhë por shihet që ky ligj nuk do të ketë mundësi të vijë gjatë këtij viti në Kuvendin e Kosovës”.
“Fatkeqësisht ka ardhë Ligji për Buxhet para këtij ligji që nënkupton që buxhetimi i këtij ligji në buxhetin e vitit 2022 nuk ekziston”, u shpreh tutje Tahiri.
“Dua të kërkoj nga ju në emër të grupit parlamentar, nga ministritë përkatëse, që sa më shpejt të nisin konsultimet e detyrueshme për të sjellë këtë Ligj në Kuvend. Kam punuar personalisht në këtë ligj. Ligji që e kam sjellë në Kuvend nuk është kontestuar nga gjykata, por vetëm amandamentimet”./InLajmi/