Kosova si edhe shumë vende të tjera të botës po vazhdon të përballet me virusin COVID-19.
Edhe pse për dallim nga shtete e tjera në vendin tonë numri i të infektuarve dhe viktimave nga ky virus është më i ulët, koronavirusi vazhdon të jetë aktiv dhe shqetësues.
Tashmë kur shumë prej qytetarëve janë vaksinuar me 2 doza të vaksinës antiCOVID, mundësia për vaksinimin me dozë përforcuese dhe me dozë të 3 është mjaftë pranë.
Nga Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se vendimi për aplikimin e dozës përforcuese apo dozës së 3 të vaksinës antiCOVID në Kosovë do të merret shumë shpejt.
Madje është thënë se dozën e 3 të vaksinës e marrin personat të cilët janë të vaksinuar plotësisht me 2 dozat, por tek të cilët me kalimin e kohës imunitete ka shkuar në rënie.
“Vendimi për aplikimin e dozës përforcuese dhe dozës së 3 në Kosovë do të merret shumë shpejt. Dozë perforcuese marrin personat që janë të vaksinuar plotësisht me të 2 dozat, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti ka ardhur duke rënë. Kurse dozë të 3 marrin ata persona tek të cilët 2 dozat fillestare nuk kanë krijuar imunitet të mjaftueshëm”, u tha nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas MSH-së me dozë perforcuese apo edhe me dozë të 3 të vaksinës, varësisht se për cilën bëhet fjalë, vaksinohen të moshuarit, personat me imunitet të kompromentuar, profesionistët shëndetësorë, por nuk përjashtohen as kategori të tjera.
Kurse në Kosovë deri tani janë administruar 2 lloje të vaksinave antiCOVID.
Vaksinat e llojit ‘Pfizer BionNTech’ si dhe ‘Astrazeneca’.
“Janë administruar 1.601.129 vaksina gjithsej. Me një dozë janë 847.689 ndërsa me 2 doza janë 753.440”, u tha nga Ministria e Shëndetësisë.Në kuadër të vaksinimit tani për tani në stok janë mbi 300.000 vaksina kundër COVID-19, kurse sipas MSH-së ka edhe të tjera të kontraktuara të cilat pritet të vijnë në bazë të dinamikës së përcaktuar.
Pavarësisht se ka kaluar më shumë se 3 javë që nga koha kur janë vendosur masat e fundit antiCOVID, ministria përkatëse nuk ka dashur të deklarohet lidhur me mundësinë për ndryshimin e tyre.
MSH nuk është përgjigjur se kur pritet të hiqet ora policore, apo kur saktësisht do të bëhet vlerësimi dhe ndryshimi i masave aktuale antiCOVID të cilat duhet respektuar qytetarët e Kosovës.
Ndryshe në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë së fundi pati ndryshime sa i përket drejtimit të saj.
Pasi që Arben Vitia dha dorëheqje nga ky post dhe kandidoi për të parin e Prishtinës, si u.d e Ministres së Shëndetësisë u vendos Dafina Gexha-Bunjaku.
Por nuk shkoi gjatë dhe në kuadër të kësaj ministre, kryeministri Albin Kurti emëroi kirurgun Rifat Latifi.
Latifi është emëruar ditën e hënë në krye të MSH-së, ndërsa i njëjti ka karrierë të zhvilluar edhe jashtë Kosovës, saktësisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht se emërimi i tij po bëhet në një kohë kur vendi ballafaqohet ende me virusin COVID-19, ai deklaroi se nuk ka një plan për ballafaqim, shkruan Lajmi.net.
Mbetet të shihet nëse ministri i Shëndetësisë do të arrijë të bëjë ndryshim pozitiv sa i përket përballjes me këtë virus që mori jetën e shumë qytetarëve.