Albin Kurti, kryeminister i Kosovës ka apeluar tek qytetarët që të vaksinohen kundër koronavirusit, duke thënë se vaksina ka mjaftueshëm, përcjell InLajmi.
Kurti përmes një videomesazhi ka thënë se sot është tejkaliar administrimi i 1.6 milionë vaksinave, 64% janë vaksinuar me një dozë dhe me 2 doza mbi 56 %.
“Në 30 ditët e fundit, gjithsej, kemi numër një shifror të vdekjeve, ndërsa 2 javët e fundit ka rënë me 2 të 3-tat numri i infeksioneve. Por, asgjë nuk ka përfunduar. Në veçanti tani kur kemi 2 variante në qarkullim: varianti Delta që është akoma dominues dhe varianti Delta Plus, i cili në bazë të të dhënave të deritashme përhapet edhe më shpejt. Prandaj duhet të përgatitemi më mirë që të parandalojmë një vale të re të këtij varianti super shpërndarës”, tha Kurti.
Kurti gjithashtu ju ka bërë thirrje edhe të gjithë personave që kanë dyshime.
“Ata që kanë ende dyshime, ju bëj apel që për hir të shëndetit personal, të familjes dhe shoqërisë, t’i kapërcejnë paragjykimet për vaksinat”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti ju ka bërë thirrje posaçme prindërve dhe mësimdhënësve që t’i inkurajojnë sidomos të rinjve që të vaksinohen. /InLajmi/