Sot ka ditëlindjen e 48-të ushtari Luan Haradinaj i cili u vra në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro –shqiptar, përcjell InLajmi.
Me këtë rast kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka kujtuar vëllanë e tij me rastin e ditëlindjes, duke publikuar një foto me të, me një mbishkrim ’’Luan, mbete gjithmonë i ri!’’.
Në betejën disa orëshe me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.
Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë. Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur “Qafa e Mullarit”, kur grupi bie në një pritë të ushtrisë jugosllave.
Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci. Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes./InLajmi/




















