Gazetari Musa Sabedini vlerëson se Lufti Haziri humbi garën për të parin e Gjilanit pikërisht nga votuesit që jetojnë në qytet pasi në fshatra u votua.
“Lufti Haziri u dënua nga qyteti pasi votat në fshatra i mori por jo në qytet pikërisht sepse nuk është investu në disa lagje që moti kanë qenë të anashkaluara”.
“Vetëvendosje tregoi më shumë energji dhe përkushtim për të arritur këtë që arritën. Të gjithë prisnin që do të fitojë Lufti Haziri pasi bëri disa koalicione para zgjedhore. Janë shumë faktor që kanë ndikuar në këtë ndryshim mbase edhe Haziri e dinte që ka probleme të brendshme dhe Vetëvendosje pati eufori dhe qytetarët e votuan Alban Hysenin për kryetar”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka elektorat të heshtur ndërsa kabineti qeveritar erdhi dhe i dha mbështetjen Hysenit. LDK-ja kishte angazhim pasiv pasi mbanin shpresat tek para koalicionet që i kanë bërë ndërsa Albani bashkë me ekipet e tij që ishin të gjithë të rinj shkuan shpi për shpi dhe prekën elektoratin”, u shpreh Sabedini.
Sabedini në “Info Magazine” në Klan Kosova kërkoi se kryetarin e zgjedhur, Alban Hysenin, e pret shumë punë por krejt ajo çka Gjilani kërkon nga ai është të jetë krahë qytetarëve dhe jo partisë.
“Hyseni do të ketë shumë punë pasi çështja e komunës nuk është akademike. Gjilani ka shumë projekte të pa përfunduara dhe të rinjtë duan punë. Gjilani ka një themel te fortë, Alban Hyseni duhet të koordinojë një stabilitet politikë pasi për asamble i duhet koalicion për tu betuar si kryetar pastaj. Opsionet për koalicion janë të hapura ndoshta më i afërt është me PDK-në ose AAK-në por gjithsesi i duhet patjetër të hyjë në koalicion”.
“Gjilani ka kërkesa të shumta të qytetarëve dhe Gjilani nuk ka ujë të pijes dhe ka problemi me ujërat e zeza tash e sa vite e megjithatë mungon infrastruktura brenda qytetit”.
“Alban Hyseni nuk mund të bëjë mrekullia, krejt çka Gjilani kërkon nga ai mjafton që të jetë krahë qytetarëve dhe jo krah partisë. Uroj të ketë një ekip të mirë dhe të vazhdojë punët. Meqë është intelektual duhet të kuptojë që kryetari i komunës duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe jo të partisë. Kolltuku i kryetarit është përgjegjësi” tha Sabedini.