Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Turqi, Avni Spahiu ka thënë se deri më tani ndikimi i Rusisë ka qenë i hapur në rajon.
Spahiu duke folur në një intervistë për Telegrafin është shprehur se, aktualisht janë shenjat e para që vendet perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rikthehen në rajon.
“Deri më tani Rusia ka pasur një fushë të hapur dhe ndikimi i saj është përhapur pa ndonjë sfidim nga të tjerët, nga Perëndimi. Tani janë shenjat e para që Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rikthehen në rajon dhe do të ketë një qëndrim tjetër edhe ndaj këtyre raporteve”, tha Spahiu.
Ai ka theksuar se Serbia ka përkrahjen e Rusisë për të bërë agresion politik dhe diplomatik ndaj fqinjëve të saj.
“Agresioni diplomatik dhe politik i Serbisë ndaj fqinjëve është evident, natyrisht me mbështetjen e Rusisë dhe takimi i Gabriel Escobar me Milorad Dodik është shenjë inkurajuese që nuk do të lejohet një përshkallëzim që do të sillte Bosnjën në një konflikt të ri eventual, i cili siç jemi mësuar në të kaluarën ku një krizë në një vend të rajonit, shkakton në mënyrë zinxhirore edhe kriza të tjera”, ka përfunduar ai.
Në këtë intervistë, Spahiu ka folur edhe rreth mos ftesës së Kosovës në Samitin e Demokracisë në SHBA, si dhe mungesën e ambasadorëve të akredituar të Kosovës në SHBA, BE e Azi.