Një breshkë Careta Careta me moshë rreth 30 vjeçare është gjetur sot e ngordhur në plazhin e Vjetër të Vlorës.
Breshka mendohet se mund të ketë disa ditë e ngordhur dhe e ka nxjerrë deti këtë të martë. Specialisti i zonave të mbrojtura Nexhip Hysolako thotë se fenomeni po ndodh gjithnjë e më shpesh.
“Kjo breshkë mund të ketë ngordhur nga plastika, pasi breshka kryesisht ushqehet me meduza (kandila deti) të cilat ngjasojnë me qese plastike në det, ndaj dhe breshka gëlltit qeset të cilat i duken si kandil deti”.
Edhe në bregun tjetër të Adriatikut, në Itali raportohet një shtim i rasteve të tilla vitet e fundit në nivele alarmante. Mediat italiane raportojnë se kjo ndodh si pasojë e aktivitetit njerëzor, transmeton Top Channel.
Breshkave u është gjetur plastikë në stomak, goditje nga helikat e motorëve të mjeteve të lundrimit e deri te ngecja nëpër rrjeta. Kjo racë breshkash është në rrezik zhdukje, ndaj është edhe një specie e mbrojtur.