Çmimet globale të ushqimeve kanë arritur nivelin më të lartë në më shumë se një dekadë, pasi janë rritur për më shumë se 30 % gjatë vitit të kaluar, tha Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO).
Sipas saj, në rritjen e çmimeve kanë kontribuar: ndërprerjet e furnizimeve, mbyllja e fabrikave dhe tensionet politike.
FAO tha se çmimet e drithërave janë rritur për më shumë se 22%, krahasuar me një vit më parë.
Çmimi i grurit ishte një nga kontribuuesit kryesorë në këtë situatë, pasi u rrit për 40% në 12 muajt e fundit.
Sipas FAO-s, kjo ka ndodhur pasi eksportuesit kryesorë – Kanadaja, Rusia dhe SHBA-ja – kanë pasur korrje të dobëta.
“Kemi pasur vite mjaft të këqija të korrjeve në shumë vende”, tha për BBC-në Peter Batt, ekspert i agrobiznesit në Shkollën Curtin Business në Perth të Australisë, shkruan REL.
FAO tha se çmimi i vajit bimor u rrit nga rritja e kostos së vajrave të palmës, sojës, lulediellit dhe farave.