Në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim ka marrë pjesë edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, raporton InLajmi.
Szunyog tha se Komisioni Evropian qëndron prapa rekomandimit të vitit 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
“Ne jemi të vetdijshëm për rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Raporti i Komisionit Evropian dhe Presidentja e KE-së, von Der Leyen janë shumë të qartë në këtë pikë, Komisioni qëndron prapa rekomandimit të vitit 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Propozimi i Komisionit Evropian është përkrahur poashtu nga Parlamenti Evropian por akoma është nën shqyrtim në Këshillin e BE-së. Unë llogaris në përkrahjen e të gjithë deputetëve të Parlamentit Evropian dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës të vazhdojnë të ndërtojnë besim me shtetet anëtare të BE-së që më në fund të arrihet ky qëllim”, ka thënë ambasadori Szunyog.
Ambasadori Szunyog ka inkurajuar të gjithë që të vazhdojnë me punën e tyre drejt reformave evropiane.
“Kam nderin të ju drejtohem këtu në Kuvend në emër të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell në takimin e shtatë për MSA-në. Ky takim është mbledhur sërish pas dy viteve. Qeveria gëzon shumicë të konsiderueshme, dhe i inkurajoj që të vazhdojë punën në reformat evropiane”, tha ai./InLajmi/