Ballkani i Hapur kësaj here në Beograd më 3 dhe 4 Nëntor mbledh përsëri 3 nga 6 udhëheqësit e Ballkanin Perëndimor.
Ky samit ndryshe nga ata të shkuarit, nuk do ta gjejë kryeministrin e Maqedonisë Veriore Zoran Zaev në krah të homologut shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Vendin e Zoran Zaev të dorëhequr disa ditë më parë do ta zë zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov.
Sikurse edhe në takimet e shkuara të këtij formati, Vuçiq, Rama dhe Dimitrov në ditën e parë të Samitit do të zhvillojnë një ecje në qendër të Beogradit.
Dita e 2-të e takimit do të nisë me një takim me përfaqësuesit e biznesit e më pas me ata të Këshillit Atlantik për t’ia lënë vënë vendit takimit trepalësh.
Për atë çfarë do të dakordohet në këtë takim Vuçiq, Rama dhe Dimitrov do t’i deklarojnë në një konferencë të përbashkët për mediat.
Edhe ky takim i radhës e gjenë iniciativën e Ballkanit të Hapur pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.
Ndërkohë disa ditë më parë nga Washingtoni erdhën qëndrime të qarta dhe mbështetëse për këtë iniciativë, transmeton Top Channel.
Gabriel Escobar zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit tha disa ditë më parë:
“Udhëheqësit e të 3 vendeve që kanë shqyrtuar nismën e Ballkanit të Hapur na kanë siguruar se ajo është e hapur për të 6-ta vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe ne u besojmë atyre. Në fakt, ajo nuk mund të ketë sukses pa 3 vendet e tjera. Nisma e Ballkanit të Hapur pasqyron gjithashtu edhe diçka nga Procesi i Berlinit, quajtur treg rajonal i përbashkët, ndaj ne mendojmë se janë plotësuese, ne mendojmë se çdo gjë që i sjell vendet më afër do të krijojë besim ndërmjet njerëzve, ndërsa do të krijojë edhe mundësi për lëvizje politike për disa nga çështjet”.