Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me zëvendësministrin Blerim Sallahu, kanë pritur në një takim njohës ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë,Antonello De Riu, përcjell InLajmi.
Haxhiu fillimisht e ka uruar ambasadorin De Riu për detyrën e re duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë që ka Ministria e Drejtësisë me Ambasadën e Italisë në Kosovë.
Në takim me ambasadorin De Riu, ministrja e Drejtësisë shkëmbeu informacion mbi ecurinë e reformës në drejtësi, përkatësisht mekanizimin e vetingut i cili, sipas saj, do ta kthej besimin me qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
”Haxhiu, poashtu e ka informuar ambasadorin lidhur me aktivitetet tjera të cilat i bartë Ministria e Drejtësisë duke potencuar faktin se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm në realizimin e këtyre aktiviteteve” , thuhet në njoftim.
Gjithashtu në këtë takim u theksua qëllimi i përbashkët mbi forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të shtetit Italian dhe Republikës së Kosovës, përkatësisht në fushën e drejtësisë.
Ambasadori De Rio i shprehu ministres Haxhiu vlerësimin e tij për reformën e ndërmarrë në sistemin e drejtësisë ndërsa theksoi se shteti italian do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën duke rikonfirmuar kështu bashkëpunimin e ngushtë edhe në të ardhmen./InLajmi/