Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, në një konferencë të mbajtur për media ka folur në lidhje me rritjen e çmimeve të produkteve në vend, përcjell InLajmi.
Molliqaj tha se rritja e çmimeve të këtyre produkteve, duhet të subvencionohet prap nga Qeveria e Kosovës.
“Diferenca e rritjes së çmimit nga muaji paraprak në këtë muaj, duhet të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës për këto produkte bazë prapë. Pra subvencionim i rritjes së çmimit përkatësisht dallimit në çmim nga ai që ka qenë për këtë rritje, për miellin, kripën, sheqerin, bukën dhe qumështin” u shpreh Molliqaj.
Më pas Mollliqaj tha se rritja ekonomike që nuk është në favor të qytetarëve, ajo mund të jetë rritje ekonomike që është rritur importi ose është rritur kapitali i koncentruar për bizneset e mëdha dhe qytetarët vetëm sa e kanë pësuar atë.
“Ky është më shumë koncept i djathtë sesa koncept i një Qeverie të majtë ose socialdemokrate, sepse rritja ekonomike e cila nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët, ajo mund të jetë rritje ekonomike e cila ose është rritur importi ose është rritur kapitali i koncentruar për bizneset e mëdha dhe qytetarët vetëm sa e kanë pësuar atë.”
Ai gjithashtu paralajmëroi aksion simbolik në lidhje me ngritjen e çmimeve të produkteve./InLajmi/