Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kanë pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, përcjell InLajmi.
Fillimisht, kryeprokurori Lumezi njoftoi ambasadorin Kolly për funksionimin, të arriturat dhe sfidat e sistemit prokurorial, për progresin në fushën e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe për çështjet thelbësore me të cilat po përballen, veçanërisht në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Pjesë e rëndësishme e diskutimeve në takim ishin edhe procesi i reformave legjislative dhe vazhdimi i partneritetit në projektet e përbashkëta mes prokurorit të Shtetit dhe Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, me theks të veçantë atë kundër korrupsionit në Kosovë, i njohur si SAEK-III, si dhe vazhdimi i bashkëpunimit me Institutin e Bazelit për Qeverisje (IBQ), me të cilin prokurori i Shtetit, për më shumë se një vit, ka bashkëpunim profesional në gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të shtetasve kosovarë, të fituara në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet në komunikatën e kësaj prokurorie.
Në anën tjetër, ambasadori Kolly, ka shprehur mbështetjen e tij dhe të vendit të tij për ta ndihmuar institucionin e Prokurorit të Shtetit në fusha të ndryshme.
Në fund të takimit, kryeprokurori i Shtetit falënderoi ambasadorin e Zvicrës për vizitën dhe interesimin e treguar për sistemin prokurorial, duke e vlerësuar lart mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të shtetit të Zvicrës, të dhënë për Republikën e Kosovës, veçmas për sistemin e drejtësisë.