Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar komunë e Vushtrrisë, me ç’rast u takua me kryetarin në ardhje të kësaj komune, Ferit Idrizi, përcjell InLajmi.
Krasniqi ka uruar Idrizin për suksesin e arritur në Zgjedhjet e mbajtura më 17 Tetor 2021, ku diskutuan për angazhimin e mëtejmë për zhvillimin e Vushtrrisë.
‘’Me rikthimin e Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri do të rikthehet edhe perspektiva për të gjithë qytetarët e kësaj komune’’, ka shkruar Memli Krasniqi.
Postimi i plotë i tij:
Në Vushtrri, me kryetarin në ardhje të kësaj komune, Ferit Idrizin, takuam asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët i urova për suksesin e arritur në këto Zgjedhje Lokale dhe me ta diskutuam për angazhimin e mëtejmë për zhvillimin dhe transformimin e Vushtrrisë, pas katër vitesh ngecje dhe degradim në këtë qytet, si pasojë e keqqeverisjes.
Tutje, takuam kryetarët e nëndegëve të PDK-së në Vushtrri, ku pashë një entuziazëm edhe më të madh për mobilizim drejt fitores së madhe më 14 nëntor.
Me rikthimin e Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri do të rikthehet edhe perspektiva për të gjithë qytetarët e kësaj komune, pa dallime partiake, të cilët duan një qeverisje zhvillimore, transformuese, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Zotimet e kryetarit Ferit Idrizi për të bashkëqeverisur me qytetarët, për të krijuar vende pune për gratë dhe të rinjtë në veçanti, për ta ndalur korrupsionin në Vushtrri, do të jetësohen në 4 vitet e ardhshme./InLajmi/