Më 14 Nëntor në Kosovë do të mbahet raundi i 2-të i zgjedhjeve lokale 2021, ndërkaq periudha e votimit përmes postës do të fillojë sot, nga 29 tetori deri më 12 Nëntor, e që do të zgjasë 15 ditë.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale numri i qytetarëve që kishin arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës ishte 15.532 votues, kurse KQZ kishte pranuar 9. 610 zarfe me vota.
Nga organizata joqeveritare “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës në një deklaratë për Telegrafin kanë thënë se pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet lokale është zakonisht më e ulët se në zgjedhjet parlamentare.
“Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet lokale zakonisht është më e ulët se në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Kjo shpjegohet me faktin se pjesëtarët e diasporës afektohen relativisht më pak nga politikat e përditshme të nivelit lokal”, ka thënë për Telegrafin, Lirim Krasniqi nga organizata GERMIN.
Kurse sa i përket trajtimit të fletëvotimeve nga KQZ, Krasniqi thotë se kësaj radhe procesi ka shkuar mirë.
“Fillimisht, procesin e verifikimit e kanë kaluar mbi 85% e zarfeve të pranuara. Më pastaj nga 9,610 zarfe të individualizuara, kanë rezultuar 9,130 vota të vlefshëm (për kryetar komunash) apo rreth 95% e totalit. Kjo tregon se është rritur cilësia e votimit nga diaspora dhe votat e pavlefshme janë shumë më të pakta në numër në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, është shprehur ai.