Gazetari kosovar Halil Berisha po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në rastin e, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, përcjell InLajmi.
Berisha është pyetur nga prokurori për dëshmitë të cilat i kishte prezantuar OVL-ja, dëshmi këto të cilat pretendohet se kanë rrjedh nga Gjykata Speciale.
“Ka pasë emra të personave që task-forca ka synuar t’i intervistojë dhe ka kërkuar ndihmë nga prokurorët serbë”, është shprehur Berisha.
“Një pjesë e këtyre dokumenteve kanë qenë kërkesa të taks-forcës speciale të hetimit drejtuar prokurorëve serbë që të siguroheshin dëshmitarë, të cilët janë përmendur me emra”.
Berisha ka folur për kohën kur është kontaktuar nga Specialja, duke thënë se i është bërë me dije se do të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.
“Në kontaktin e parë ka qenë prokurorja Valeria Bolici. Në intervistimin e parë në Kosovë nuk kam pasë fletëthirrje. Më është thënë se do të intervistohesha në cilësinë e dëshmitarit. Më është thënë që nuk jam në cilësinë e të dyshuarit”.
Më tej ai ka thënë se ka qenë e pa pritur ftesa për të dëshmuar para Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Jam gazetar dhe nuk kam prit që të jem si dëshmitar sepse e kam kryer punë time me përpikëri dhe profesionalizëm. Ka qenë e çuditshme dhe kur më është bërë ftesa kam kërkuar që bashkë me mua të jetë edhe avokati Arianit Koci”./InLajmi/