Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur të marten do të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, përcjell InLajmi.
Elezi tha se numri përgjithshëm i fletëvotimeve që do të numërohen është 15.482.
“Gjatë ditës së sotme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Numri përgjithshëm i fletëvotimeve që do të numërohen është 15.482, prej të cilave numri i zarfeve me fletëvotime me kusht është 12.960, ndërsa 2.522 të tjera u takojnë personave me nevoja të veçanta të cilët kanë votuar përmes ekipeve mobile”, tha Elezi.
Elezi tha se nëse gjithçka shkon sipas planit rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Komunale 2021 për kryetar të komunave, mund të shpallen të Mërkurën, por që kjo është e ndërlidhur me ecurinë e punëve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Numërimi i këtyre votave i hap rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Natyrisht se kjo është e ndërlidhur me ecurinë e punëve këtu në QNR, prandaj nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, atëherë KQZ-ja do të mundet që gjatë ditës së mërkurë, 27 tetor, të shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave”, tha Elezi./InLajmi/