Britania ka regjistruar këtë javë numrin më të lartë të rasteve të reja me COVID-19 që prej Korrikut, thuhet në të dhënat e Qeverisë.
Në Britani 333,465 persona kanë rezultuar pozitivë gjatë 7 ditëve të fundit, apo rreth 15% më shumë se javën paraprake. Ky është numri më i lartë i rasteve të reja brenda një jave që prej 21 Korrikut.
Po ashtu, në 7 ditëshin e fundit, vdekjet janë rritur për 12%, duke e çuar në 139,878 numrin e rasteve me fatalitet që prej nisjes së pandemisë. Britania është vendi i 2 në Evropë, pas Rusisë, me numrin më të lartë të vdekjeve, sipas të dhënave të prezantuara nga Universiteti Johns Hopkins.
Shkencëtarët kryesorë e kanë këshilluar Britaninë që të rivendosë masa kundër COVID-19, përfshirë edhe mbajtjen e detyrueshme të maskave, certifikatat e vaksinave dhe rekomandimeve që njerëzit të punojnë nga shtëpia.
Grupi këshillues i shkencëtarëve për emergjenca ka paralajmëruar për “rritje të shpejt të mundshme të shtrimeve në spital”, teksa rastet me koronavirus po vazhdojnë të rriten.
Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson e ka minimizuar mundësinë e rikthimit të masës izoluese.
Ndërkaq, Rusia për të pestën ditë me radhë ka regjistruar numër rekord të vdekjeve dhe autoritetet janë përgatitur që të mbyllin vendet e punës dhe kanë vendosur masën e izolimit në kryeqytet, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Më 23 Tetor, Rusia regjistroi 1,075 vdekje dhe 37,678 raste të reja me koronavirus. Ky shtet ka një prej niveleve më të ulëta të vaksinimit kundër koronavirusit në Evropë.