Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë për media dje ka deklaruar se shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar punën në vlerësimin dhe verifikimin e rreth 5.700 pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur përmes postës nga 15 Shtatori deri më 15 Tetor.
Elezi tha se janë konstatuar 10. 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Nga to, janë aprovuar 9.610, ndërkaq janë refuzuar 1.324.
“Brenda këtyre pakove të supozuara me fletëvotime janë konstatuar 10.934 zarfe të individualizuara me fletëvotime. Nga procesi i vlerësimit nga shërbimi votues, janë aprovuar 9.610 zarfe të individualizuara me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 1.324 të tilla pasi nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Fletëvotimet që ndodhen brenda këtyre zarfeve do të numërohen gjatë fundjavës këtu në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Elezi.
Elezi deklaroi se votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara janë në fazën përfundimtare të verifikimit.
“Ndërsa, sa i përket votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta jemi në fazën gati përfundimtare të verifikimit para se të bëhet numërimi i tyre. Ka mbetur që të krahasohen votuesit me kusht me qytetarët që kanë votuar në vendvotimet e rregullta, në mënyrë që ta dimë nëse një person ka votuar 2 herë: në vendvotimin me kusht, por edhe në vendvotimin e rregullt. Kjo është vepër penale”, ka deklaruar Elezi.
Po ashtu, Elezi ka njoftuar se janë duke u bërë përgatitjet për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, shkruan Gazeta Metro.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për miratimin e planit operacional për organizimin e raundit të dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ku përfshihen të gjitha aktivitetet që do të realizohen nga KQZ për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.




















