Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për zyrtarin e AKI-së i cili zbuloi informacione të klasifikuara, përcjell InLajmi.
“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të KPRK-së, Keqpërdorimi i informatës zyrtare nga neni 416 të KPRK-së, Hyrja në sistemet kompjuterike nga neni 327 të KPRK-së, Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara nga neni 125 të KPRK-së dhe Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara nga neni 202 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.K. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit M.K. paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në komunikatë.
Tutje, në komunikatë thuhet se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda është mirë e bazuar, në këtë fazë të procedurës.
“I pandehuri M.K. dyshohet nga Prokuroria se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pa autorizim ka ndërhyrë në sistemin kompjuterike të AKI-së dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprat penale të cekura më lartë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, në këtë komunikatë thuhet se kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./InLajmi/