Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se 2 zyrtarë rusë janë shpallur persona non grata apo të padëshiruar për Kosovën, përcjell InLajmi.
Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se ka kërkuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla që t’i shpallë këta persona non grata.
Tutje ajo ka thënë se i siguroj qytetarët e Kosovës se nuk do të hezitojmë së vepruari çdoherë kur cenohet siguria e vendit tonë.
Postimi i plotë i saj:
Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona non grata 2 zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre 2 zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse.
I siguroj qytetarët e vendit se institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend. /InLajmi/