Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári, përcjell InLajmi.
Duke e përmendur rolin e KFOR-it që prej vitit 1999, Presidentja Osmani ka theksuar se ky mision paqeruajtës ka kontribuuar jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në projekte të ndryshme infrastrukturore, sikurse edhe në fushën e shëndetësisë në përballje me pandeminë.
Më tej, Presidentja Osmani ka përmendur bashkëpunimin në nivel të KFOR-it me FSK-në, duke ritheksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Ndërkaq gjeneralmajor Kajári ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe konsultimeve të rregullta në kuadër të mandatit që ka KFOR-i në Kosovë./InLajmi/