Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mbajtur konferencë për media së bashku me Shefin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyoug, pasi që ky i fundit ka dorëzuar Raportin e Progresit, raporton InLajmi.
Gjatë kësaj konference, Szunyog është deklaruar edhe rreth dialogut mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se BE-ja kërkon marrëveshje përfundimtare mes 2 vendeve, por ka thënë se kjo varet nga vullneti i 2 qeverive.
Mirëpo reagimi i kryeministrit Kurti ishte i menjëhershëm ku tha se kur kanë qenë zgjedhjet, janë zotuar dhe ju kanë premtuar qytetarëve se do të kenë prioritet drejtësinë dhe punësimin, por që nuk do të neglizhojnë dialogun.
“Prioriteti i Qeverisë së Kosovës janë punësimi, drejtësia dhe pandemia. Pra, zhvillimi ekonomik, rritja ekonomike e punësimi në njërën anë, lufta kundër korrupsionit, reforma e gjyqësorit dhe drejtësia në anën tjetër dhe natyrisht kriza shëndetësore me menaxhimin e pandemisë. Nuk i kemi neglizhuar takimet në Bruksel, kemi shprehur gatishmëri konstruktive për dialog, mirëpo çështja e dialogut nuk është e drejtë ta zëvendësojë as luftimin e pandemisë COVID-19, as zellin e madh të Qeverisë për rritje ekonomike, as luftën kundër korrupsionin e as për një system të mirëfillt të drejtësisë siç e ka Bashkimi Evropian”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera kreu i Qeverisë ka thënë se nuk mund të lërë anash agjendën për të cilën janë votuar masivisht nga qytetarët, por ka thënë se dialogun me Serbinë nuk e neglizhojnë. /InLajmi/