Një grup prej 10 anijesh nga Kina e Rusia lundruan të hënën nëpër një ngushticë që e ndan pjesën kryesore të Japonisë me ishullin verior, Hokkaido, tha qeveria japoneze, duke shtuar se është duke i përcjellë për së afërmi këto aktivitete.
Kjo është hera e parë që Japonia e ka konfirmuar kalimin e anijeve kineze e ruse së bashku përmes Ngushticës Tsugaru, që e ndan Detin e Japonisë nga Oqeani Paqësor
Ndonëse kjo ngushticë vlerësohet si pjesë e ujërave ndërkombëtare, marrëdhëniet e Japonisë me Kinën për një kohë të gjatë kanë qenë të tensionuara për shkak të pretendimeve kundërthënëse rreth një grupi të ishuve të vegjël në Detin Lindor të Kinës. Japonia ka mosmarrëveshje territoriale edhe me Rusinë.
“Qeveria është duke i përcjellë për së afërmi aktivitetet e anijeve kineze e ruse rreth Japonisë me interesim të lartë”, tha nënsekretari i kabinetit, Yoshihiko Isozaki, në një konferencë për gazetarë të martën.
“Ne do të vazhdojmë që ta bëjmë maksimumin tonë në vëzghimin e aktiviteteve në ujërat dhe hapësirën ajrore përreth Japonisë” shtoi ai, shkruan Reuters
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Japoni tha se nuk ka pasur shkelje të ujërave territoriale të japonisë dhe as shkelje të rregullave ndërkombëtare gjatë kalimit të anijeve ruse e kineze, transmeton Gazeta Express.
Rusia dhe Kina zhvilluan ushtrime të përbashkëta detare në Detin e Japonisë si pjesë e bashkëpunimit mes 2 vendeve nga 14 deri më 17 Tetor. Viteve të fundit, Rusia dhe Kina kanë kultivuar raporte më të ngushta ushtarake e diplomatike në kohën kur marrëdhëniet e tyre me Perëndimin janë tensionuar.