Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, po vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje, ka pësuar rënie të pastër, për shkak të zhgënjimit që qeverisja e Albin Kurtit, njëherit lider i saj, u dha qytetarëve këtë mandat.
Haradinaj në Rubikon u shpreh se kjo është përgjegjësi e kryetarit të partisë, në këtë rast Albin Kurtit, meqë po flitet për 30% rënie të subjektit.
”Është e pasaktë kjo që e thotë kryetari i Vetëvendosjes [Albin Kurti]. Subjekti politik Vetëvendosje në garë nacionale e komunale, asnjëherë s’ka pasë kaq shumë diferencë të votave”.
”Kjo është rënie e pastër, shpjegohet qartë. Merrni rezultatet e zgjedhjev të çdo viti dhe e shihni që nuk është disproporcioni i tillë. Nuk po flasim për 10% sepse ekziston një margjinë mes zgjedhjeve komunale dhe nacionale, por ne po flasim për 30% më pak. Pra, partia politike e 50.2%, ka rënë në 23%”.
”Dhe kjo nuk ka të bëjë veç me listë apo problemet komunale, kjo ka të bëjë edhe me qasjen e kryeministrit Kurti e qeverisjes së Vetëvendosjes, një qasje që është zhgënjyese për plotë qytetarë”.
”Unë kam qenë në 2017 kryeministër si Kurti. Tre muaj më vonë i patëm zgjedhjet komunale. Unë u bëra në shtator, në nëntor u mbajtën zgjedhjet nëpër komuna. Dhe ne fituam gjashtë komuna. Është e pashpjegueshme, dhe nuk mund t’ja bartësh përgjegjësinë vetëm strukturës poshtë për këtë rënie, pra përgjegjësia është e shefit të partisë, në këtë rast e kryeministrit Kurti, kryetarit të Vetëvendosjes”.
Ndërkaq për deklaratën e Albin Kurtit se lista e tashme e Vetëvendosjes s’mund të krahasohet me të mëparshmet kur ai, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca ishin pjesë e saj, Ramush Haradinaj, u shpreh se ai pati qasje mashtruese.
”Mirë e ka ndoshta sepse se mbrrin më atë rezultat. Ky po thotë që njëherë iu ka ardhë ai rezultat, nuk ua jepin më qytetarët, po don me ua shpjegu strukturës së vet. Qasja zhgënjyese në qeverisje hetohet këtu. Ka mund t’i humb 10%, dallimin mes nivelit qendror dhe komunal. Kjo nuk është ndëshkim për aktivistët e VV-së në terren, është ndëshkim për mënyrën e qeverisjes, kërkujt s’i ka dhënë shpresë me këtë mënyrë të qeverisjes. Ka qenë qasje mashtruese, i ka kritikuar për 20 vjet nepotizmin, e punësimet familjare e i ka bërë si ka ardhë. I ka kritikuar bordet me militanët, e ka bo si ka ardhë. E ka mbledh paren, e ka nda si social, po do me i mbajtë njerëzit të mvarur”.
A vlerësoni se mund të ketë rënie Vetëvendosje, edhe në zgjedhje parlamentare, nëse shkohet?
”Nuk mund të shkojë pa efekt, rënia e 30%. Është efekt i madh kjo, për opinion, për popull për qytetarë. Qasja e kryeministrit ka qenë e ultë me mediat. Ka qenë mosrespektues ndaj mediave. Nuk ka qenë transparent. Të gjitha këto ndikojnë”.
”Nuk i kam thënë vlerësimet e mia vazhdimisht për këtë qeveri, jo për t’i shkaktuar pasoja qeverisë dhe VV-së, por nëse dikush ta thotë një mendim, e ta thotë edhe në emocion nuk është krejt pahiri. Porosia është edhe bukur e mirë, pra edhe qytetari në këtë rast e ka vlerësuar situatën”.
”VV ka qeveris me Prizrenin dhe Mitrovicën, përfshi Podujevën, as komunat që ka qeveris të paktën një nuk e ka fituar në vend të parë. Pra, edhe kjo është një porosi. Ke qeveris dhe nuk e ke fitu komunën në vend të parë”.
”Nuk mendoj që nuk tregojnë. Njerëzit mund të kenë simpati si për mua si për tjetrin, por prapë ta vlerësojnë qeverisjen. Këtu shihet se kualiteti qeverisës i VV-së nuk është i mirë. Pra, nuk ka qenë i mirë në nivel komunal fatkeqësisht, por s’është i mirë as në nivel nacional. S’mund ta zvogëlosh këtë realitet, ka ndodhë”.
”Pra, shkon në balotazh, ndoshta e fiton ndonjë, ama me qenë 50% në parti, me udhëheq me qeverinë e vendit e mos me fitu asnjë komunë në vend të parë, e me humb si ka humb në Mitrovicë, e me gjet veten në gjendjen si në Prizren, shiqo janë sinjale këto, dhe duhet me e kuptu veten që vlerësohesh. Shpresa e akumuluar për këtë qeveri kur të kthehet në zhgënjim, është zhgënjim i madh pastaj”.
”Prej kohës së Ibrahim Rugovës, kjo nuk ka ndodhë më herët. Mendoj që Kurti para se me besu që do ta tolerojnë njerëzit të gjithë, është mirë me bo kujdes në qeverisje nacionale, është mirë mos me rreziku në interesa strategjik të Kosovës. Unë mendoj që kur je në pushtet, është çështja 50/50 në qeverisje”.