Ka dhënë dorëheqjen Boiken Abazi, i cili mbante pozitën e drejtorit ekzekutiv të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, përcjell InLajmi.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Abazi, përmes një njoftimi në Facebook, ku tha se kjo dorëheqje vije pas rezultateve të tij në zgjedhjet nacionale në Shqipëri, ku nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për të hyrë në Parlamentin e Shqipërisë.
“Kam pritur ta bëj këtë gjë publike, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet”, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij në Facebook.
Tutje, Abazi tha se se ditën e djeshme të zgjedhjeve lokale në Kosovë e kaloi me kryetarin e Vetëvendosjes dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Të dielen e kaluam bashkë me Albinin në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndoqëm mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale nëpër komunat e Kosovës dhe diskutuam gjatë: për të ardhmen e Kosovës e Shqipërisë, nevojën për reforma në institucione dhe ekonomi, progresin shoqëror e mbarëkombëtar që nuk përjashton asnjë qytetar, çështje të ndryshme organizative të Lëvizjes sonë, e deri te raportet gjeopolitike në botë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Abazit:
Të dielen e kaluam bashkë me Albinin në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndoqëm mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve lokale nëpër komunat e Kosovës dhe diskutuam gjatë: për të ardhmen e Kosovës e Shqipërisë, nevojën për reforma në institucione dhe ekonomi, progresin shoqëror e mbarëkombëtar që nuk përjashton asnjë qytetar, çështje të ndryshme organizative të Lëvizjes sonë, e deri te raportet gjeopolitike në botë.
Në datën 15 shtator unë kam paraqitur dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri, gjë që e kisha diskutuar edhe pas zgjedhjeve në Bordin e Qendrës, për të mbajtur përgjegjësitë e mia për rezultatet në Shqipëri. Kam pritur ta bëj këtë gjë publike, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet.
Ndërkohë në Kosovë, nga vendi i tretë në zgjedhjet lokale të vitit 2017, VETËVENDOSJE! tash është e para edhe me votën popullore nëpër komuna në nivel Kosove. Sfidat nuk janë të vogla para 12 balotazheve pas katër javësh, por jemi me shpresë e të angazhuar si rrallë herë më parë. E ardhmja është e Lëvizjes, e shqiptarëve./InLajmi/