Edhe kreu i AAK-së, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova duhet ta përmbyllë bashkëpunimin me misionin e UNMIK-ut, përcjell InLajmi.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ai ka theksuar rastin e pjesëtarit rus të UNMIK-ut i cili kishte përkrahur strukturat paralele të Serbisë dhe të cilin Kosova e kishte shpallur person Non Grata.
“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, UNMIK-u kishte narracion të plotë të Serbisë për Kosovën. Në 2019, Kosova deklaroi Persona Non Grata, një pjesëtar rus të UNMIK-ut për përkrahjen e strukturave paralele dhe për krijimin e pengesave ndaj policisë. Kosova duhet të ngrijë bashkëpunimin me këtë mision plotësisht”, ka shkruar Pacolli.
Tutje Pacolli ka shkruar edhe për rastin kur Sekretari Gjeneral i OKB-së, refuzoi të takohet me zyrtarët e Kosovës.
“Në OKB, Sekretari Gjeneral, Antonio Guterres ka refuzuar të takohet me zyrtarët e Kosovës duke e prishur traditën e paraardhësve të tij. OKB-ja ka një mision të vjetëruar në Kosovë që nuk bën asgjë dhe që shpenzon buxhetin e tyre për çështje të panevojshme që janë jorelevante për Kosovën. Koha të shkojë në shtëpi”, ka shkruar ai. /InLajmi/




















