Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, është shtruar në spital pas disa problemeve shëndetësore.
CNN raporton se ai po trajtohet në Njësinë e Kujdesit Intensiv për një infeksion të mundshëm të gjakut të njohur si sepsis.
“Të martën në mbrëmje, ish-Presidenti Clinton u pranua në Qendrën Mjekësore UCI për të marrë trajtim për një infeksion jo të lidhur me COVID-19″, tha zëdhënësi i tij, Angel Urena, në një deklaratë për media.
Clinton u pranua në njësinë e kujdesit intensiv të Universitetit të Kalifornisë Irvine për një infeksion të traktit urinar, që u përhap në qarkullimin e gjakut, thanë mjekët e tij për CNN të enjten.
“Ai është në humor të mirë, ka folur me familjen dhe stafin dhe ka qenë në këmbë”, thanë mjekët dhe stafi i tij.
“Pas 2 ditësh trajtimi, numri i qelizave të bardha të gjakut po zvogëlohet dhe ai po i përgjigjet mirë antibiotikëve. Ne shpresojmë që ai të kthehet në shtëpi së shpejti”, thanë mjekët.
75-vjeçari Klinton ishte të martën në Kaliforni për një aktivitet privat të fondacionit të tij, kur ishte ndjerë i lodhur dhe u pranua në spital pas testimit, sipas zyrës së tij.
Mjekët e ish-presidentit thanë se infeksionet urologjike janë shumë të zakonshme te njerëzit e moshuar dhe ato trajtohen lehtësisht, edhe pse ato mund të përhapen shpejt në qarkullimin e gjakut. Ish-presidentit Klinton do t’i jepen antibiotikë intravenozë deri të premten, kur ka të ngjarë të kalojë në antibiotikë oralë. Sipas tyre matjet e tij vitale janë të gjitha të qëndrueshme, transmeton EO.

Klinton ka kryer operacion të zemrës në 2004 dhe kishte futur dy unaza për të hapur një arterie në 2010. Por mjekët e tij theksuan se shtrimi në spital nuk ishte i lidhur me zemrën ose Covid-19.