“Sot i falënderohemi për forcën e pashembullt zonjës Vasfije Krasniqi, e cila e ka vazhduar misionin e shenjtë të Marte Tunajt, si dhe zonjës Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e cila ka ndarë rrëfimin e saj në librin për të cilin jemi mbledhur këtu”,tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e promovimit të librit dhe ndarjes së çmimit “Vasfije Courage Award”, në njëzetë e dy vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës.
Ai vlerësoi si të rëndësishëm dhe të veçantë librin “Përdhunimi: Një histori turpi, ditari i të mbijetuarve”, të autores Wiola Rebecka, që përmbledhë rrëfime të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës nga pjesë të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën.
Siç thuhet në komunikatë, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e adresimit të së shkuarës dhe trajtimit të transmetimit ndërbrezor të traumës, shkruan Klan Kosova.
“Marrë parasysh sa pak kemi bërë për të adresuar të shkuarën e për t’u ballafaquar me të, është një lloj luksi që të merremi në këtë moment edhe me transmetimin ndër-brezorë të traumës. Nëse nuk fillojmë të merremi tash me të, do të na ndjekë dhe zë pas shumë viteve, sërish të papërgatitur,” tha ai.
“Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë në krah shtetin e tyre dhe do të kenë përkrahje më të madhe”, tha Kurti.